E mbani mend Vitali Kliçkon? Kryebashkiaku i Kievit ëndërron sërish ringun!

Prej katër vjetësh i ka vendosur dorezat e boksit në kuti, ka veshur kostumin dhe është kthyer në një politikan të suksesshëm. Vitali Kliçko është kryebashkiak i Kievit që nga viti 2014, por nuk e ka larguar plotësisht mendjen nga sporti i tij i preferuar. “Doktori me grushtin e hekurt” (siç njihet për shkak të doktoraturës që ka mbrojtur që në moshë të re) u nxit që të kthehet në ring që nga disfata që vëllai i tij, Vladimir Kliçko, pësoi me Entoni Xhoshuan në Uembli, në prillin e këtij viti.

“Dëshira ime më e madhe është që të ndeshem me Xhoshuan, – u shpreh ish-kampioni i madh, – dhe t’u kthej familjes brezin e kampionit”. Vëllezërit ukrainas dominuan boksin në vitet 2006-2015, që u quajt “Epoka Kliçko”, veçse mosha bëri të vetën edhe për ta. Vitali sot është 46 vjeç dhe për herë të fundit ka qenë në ring në 2012. Gjithsesi, ai është i bindur se “mund t’ia dal ndaj Xhoshuas edhe më mirë sesa vëllai im”.

Vitali ka edhe një peng. “Në raundin e gjashtë, kur Vladimiri e hodhi nokaut Xhoshuan, e këshillova të mos ishte aq shumë agresiv, pasi do të fitonte, – rrëfen ai, – nuk e prisja që një boksier kaq shumë muskuloz si Xhoshua ta merrte veten shpejt, por ai ia doli dhe fitoi. Ndihem disi fajtor për humbjen e vëllait”. Vitali Kliçko arriti 45 fitore në karrierë dhe pësoi vetëm 2 humbje.

Sfidanti.al