E kujtoni Shumaherin ndaj Batistonit? Edhe Pikfordi ndaj Van Dajkut s’ishte pak!

Duhej të kishte qenë një karton i kuq, dhe pas tij Evertoni do ta kishte pasur punën pisk. E tillë ndëhyrja e portierit Xhordan Pikford ndaj Virgil Van Dajkut në derbin ndaj Liverpulit, e cila kaloi “urtë e butë”, ndonëse mbrojtësi holandez u detyrua të largohej nga fusha e lojës. Ishte fillimi i ndeshjes në “Gudison Park” dhe gjyqtari nuk reagoi aspak, nuk dha karton, edhe pse pamjet filmike u shqyrtuan nga VAR-i disa herë. Edhe pse Van Dajku ishte në pozicion jashtë loje, pra nuk mund të pretendohej për penallti, sërish ndërhyrja ndaj Van Dajkut ishte e tillë që mund të mbyllte karrierën e futbollistit, pak a shumë si ajo e portierit të Gjermanisë Perëndimor, Toni Shumaher, në Kupën e Botës 1982 ndaj Batistonit të Francës, në gjysmëfinale. Atëherë gjithashtu nuk pati as karton të verdhë, ndonëse Franca meritonte penalltinë, por atëbotë nuk kishte VAR. Ish-lojtarë, që sot janë analistë, deklaruan se Pikfordi ishte me shumë fat. Kështu, Geri Nevil, Piter Krauç apo edhe ish-lojtari i Evertonit, Lion Osman.

Sfidanti.al