Milan je (thuajse) për titull, mund Interin me Ibrën dhe del në krye!

Katër fitore në 4 ndeshje, për më tepër duke thyer një kundërshtar si Interin në derbi. Ky është Milani i Stefano Piolit dhe i Zllatan Ibrahimoviçit që kryeson Serinë A, dhe që cilësohet nga mediat italiane si “thuajse për titull”. Kjo fjala “thuajse” ndoshta do të thotë se kuqezinjtë duhet të japin ende disa prova, ndonëse e mbyllën shumë mirë gjysmën e dytë të sezonit të kaluar dhe e kanë filluar po kaq mirë edhe këtë edicion. Milani e nisi derbin më mirë, shënoi dy gola me Ibrën (13’, 16’), dhe përballoi reagimin e Interit, ndryshe nga sa ndodhi në derbin e kaluar në mars.

Me gjasë, skuadra e Antonio Kontes ndjeu mungesat e shumta, pasi ishin 6 vetëm për shkak të koronavirusit, plus një dëmtim e një pezullim. Do të thotë 8 lojtarë mangut, që ndikojnë edhe tek një skuadër e ndërtuar për titullin. Mesa kuptohet, Juventusi do të ketë konkurrencë të fortë nga të dyja skuadrat milaneze, dhe jo vetëm nga Interi. Romelu Lukaku nuk mundi të ndryshonte rrjedhën e lojës, edhe pse shënoi që në 29’, dhe u përpoq shumë gjatë pjesës së parë. Siç, pritej pas pushimit zikaltërit bënë më shumë, dhe patën më shumë raste madje deri në fund, por barazimin 2-2 nuk e arritën dot. Milani kryeson Serinë A me 12 pikë në 4 ndeshje, Interi ka 7, një diferencë aspak e vogël, por sezoni është i gjatë.

Sfidanti.al