Titulli i një gazete britanike ishte kuptimplotë pas finales së Ligës së Kombeve: “Mbape-Benzema, Franca i tregon Spanjës se çfarë i mungon!” Kjo ishte thjesht e vërteta, pasi përgjithë zotërimin e topit, elegancën, dominimin dhe “tiki-takën”, futbolli bëhet pa vlerë nëse ti nuk shënon, dhe kur këtë e bën kundërshtari. Kilian Mbape dhe Karim Benzema përbëjnë dyshen sot më të frikshme të sulmit në planet, dhe duket se vendimi i trajnerit Didie Deshamp për të kthyer Benzemanë pas 5 vitesh “azil” ishte “katalizatori” kryesor i ndryshimit të Francës. Ky “katalizator” e dha efektin mesa duket pak me vonesë, pasi dështoi në Euro 2020, dhe ekziston dyshimi se ndoshta Liga e Kombeve nuk ishte aq e rëndësishme. Gjithsesei, Mbape-Benzema janë një kënaqësi për syrin. Ata shënuan që të dy, në gjysmëfinale ndaj Belgjikës dhe në finale ndaj Spanjës. Ylli i Paris SG i ka dhënë 4 asiste Benzemasë në 5 ndeshjet e fundit të kombëtares, duke bërë të lumtur Francën, por edhe … Realin e Madridit. Kjo sepse Mbape mund të jetë në “Bernabeu” verën e ardhshme.
Sfidanti.al