Polonia, shumë e fortë dhe dinake për Shqipërinë, Botërori është larg

U luajt për një gol dhe atë e shënuar miqtë. “Finalja” në “Arenën Air Albania” nuk u arrit të fitohej, madje as të barazohej dhe kualifikimi për në plej ofin e Botërorit mbeti një ëndërr e parealizuar. Polonia fitoi 1-0 në fushën tonë ndaj Shqipërisë dhe i ka të gjitha mundësitë që të dalë e dyta në grup, duke pasur tani 17 pikë ndaj 15 të kombëtares sonë. Me dy fitore, 4-1 në Varshavë, dhe 1-0 në Tiranë, polakët mund të mburren se kanë qenë më të mirë, ndonëse ndeshja në Arenë ishte thuajse e barabartë. Vendosi goli i Sviderskit në 77’

Më shumë zotërim topi nga miqtë (60 për qind), më shumë pasime (384-229), por pak më shumë gjuajtje nga ana jonë (6-5). Mungesat e Gjimshitit, Cikalleshit dhe Çekiçit u ndjenë, ashtu siç u ndje përsëri fakti që ekipi nuk është përshtatut ende si duhet me stadiumin e ri dhe luan më mirë e merr më shumë rezultate në “Elbasan Arena”. Padyshim, ndikon fakti tjetër që kombëtarja shqiptare nuk është mësuar të luajë “finale” të tilla, ndryshe nga Polonia me një histori të gjatë kualifikimesh në Europianë e Botërorë, e me pretendime thuajse çdo edicion. Ndoshta do të jetë një herë tjetër, ajo e duhura, por me 15 pikë Shqipëria ka tejkaluar çdo arritje të deritanishme. Njolla e madhe e ndeshjes nuk ishte humbja, por ndërprerja e saj në minutën e 77-të, për hedhjen masive të shisheve plastike në fushë kundër lojtarëve të Polonisë, me gjyqtarin që dërgoi ekipet në dhomat e zhveshjes dhe ekzistoi mundësia për të mos u luajtur më. Padyshim do të marrim një gjobë të madhe dhe do ta kemi ndeshjen ndaj Andorrës pa tifozë.

Shqipëri-Poloni 0-1 (Sviderski 77’)

Shqipëria (4-3-3): Berisha, Hysaj, Ismajli, Kumbulla, Veseli, Bare (Bajrami 78’), Ramadani, Trashi (Lenjani 65’), Uzuni (Broja 58’), Manaj, Roshi (Çokaj 78’). Tr. Reja

Polonia (4-4-2): Shezni, Puharz, Glik, Bednarek, Davidoviç, Zielinski, Moder (Klih 46’), Krihoviak, Jozhviak, Buksa (Sviderski 70’), Levandovski. Tr. Paulo Souza.

Sfidanti.al