Drejtori teknik në FSHF mendon se kombëtaret e moshave janë keq sepse trajnerët nuk vijnë në … Tiranë!

U bë më shumë se një muaj e gjysmë që është në detyrë. Italiani Fulvio Pea është caktuar që në fillim të marsit si drejtori teknik i Federatës Shqiptare të Futbollit, pra si një përgjegjës mbi trajnerët e ekipeve përfaqësuese të moshave, por duket se që tani kanë nisur problemet. Burime nga Federata bëjnë me dijë se Pea ka vendosur një rregull që çdo trajner i kombëtareve duhet të jetë çdo ditë në Tiranë, dhe të përgatisë planet ditore e gjithçka tjetër, për të cilën duhet diskutuar me drejtorin teknik.

Ndër trajnerët ekziston pakënaqësia sepse jo të gjithë ata janë nga kryeqyteti. Në stol të ekipeve kuqezi ka edhe trajnerë nga Vlora, ndërsa Armando Cungu është nga Shkodra. Mësohet se ata kanë kërkuar që ky rregull të ndryshohet sepse e cilësojnë të pamundur që të bëjnë rrugën vajtje-ardhje çdo ditë, ndërsa në qytetet e tyre kanë edhe punën, por edhe familjen. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë dhe se çfarë qendrimi do të mbajë presidenti i Federatës, Armand Duka, si eprori direkt i italianit.

Sfidanti.al