Donçiç mposht Lebronin në shtëpi, Dallasi është kandidat për titull!

Besohej pak se do të dilte triumfator, edhe pse pritej që të luante shumë mirë. Luka Donçiç është ende i ri, dhe Dallas Maveriks po ashtu është një projekt i filluar vetëm në pak muaj, ndaj mendohej se do të ktheheshin me humbje nga “Stejpëlls Sentër”, por ndodhi ndryshe. Supeylli slloven fitoi duelin me Lebron Xhejmsin dhe me Lejkërsat brenda në Los Anxhelos, duke e vendosur sërish kandidaturën për të qenë lojtari më i mirë i vitit. Dallasi po ashtu vendosi kandidaturën për titull duke ndërprerë serinë e 10 fitoreve radhazi të Lejkërsave.

Donçiç shënoi 27 pikë, kapi 9 topa në tabela dhe shërbeu 10 asistë, pra ishte shumë pranë një tripëll dabëlli. Po ashtu, vodhi 3 topa nga kundërshtarët. Personaliteti i tij ishte tepër i fortë edhe përballë një legjende si Lebroni, dhe një gjigandi si Entoni Dejvis. Dallasi fitoi 114-100, dhe përveç Donçiçit mirë u paraqitën edhe Porzingis (15 pikë, 6 tabela), Pauell (15 pikë, 9 tabela) apo Rajt (17 pikë, 5 tabela, 9 asistë).

Lebron Xhejms luajti në përgjithësi mirë, me shifra të larta në çdo element, por jo shumë i saktë në gjuajtje. i mbiquajturi “Mbreti i basketbollit” shënoi 25 pikë, kapi 9 topa në tabela, shërbeu 8 asistë dhe vodhi 4 topa nga kundërshtarët, por nuk realizoi asnjë nga 5 gjuajtjet për tri pikë. Entoni Dejvis bëri edhe ai detyrën me 27 pikë e 10 topa në tabela, dhe me saktësi të admirueshme, por pjesa tjetër e lojtarëve të Lejkërsave nuk ishin aty ku duhet. Lejkërs kryeson Konferencën Perëndimore me 17 fitore e 3 humbje, ndërsa Dallasi është në vend të katërt me 13 fitore e 6 humbje.

Sfidanti.al