Ju kujtohet ajo shprehja e zyrtarit të FSHF-së , ku i bëhej e qartë tifozëve se, në stadiumin e ri”Arena”, s’do të kishin më strehë tifozët fukarenj, ngaqë çmimet i biletave do të ishin të kripura. Madje aq të kripura, saqë në stadium do të mbijetonin vetëm të pasurit. Kjo shkarje zyrtare , në emër të oreksit pa limite, ka merituar vend në kujtesën tonë të ngarkuar , madje tifozët e kishin “përjetësuar” me një parrullë në ndeshjen ndaj Francës. Por, pse e kujtuam këtë episod pikant? Tamam këto ditë, kur tërmeti na qëndron sipër kokës si shpata e Demokleut, duket sikur të gjithë jemi fukarenj, madje dhe të pasurit kanë vënë maskën e të varfërit! Ja shikoni shembullin e FSHF-së, një shembull se si i pasuri, ai që ndizej me fiksimin për të ndërtuar stadiume, për të ngritur megazyra që vlejnë sa një stadium, fill pas tërmetit famëkeq, ka veshur petkun e të varfërit dhe po kërkon “ndihma”. Dhe kur? Dhe ku? Kur Europa e madhe e futbollit, tamam kur finalistët e turneut të Kontinentit ishin marrë peng nga ethet e shortit, njeriu ynë në UEFA, pra presidenti, paska bërë “bisedime për ndihma”.
Sipas deklaratës së FSHF-së, shefi i tyre ka treguar talent dhe nuhatje kur ka shfrytëzuar “mrekullisht” skenën e shortit të Euro-2020-tës, për të kërkuar ndihmë të pasurve të futbollit. Duke filluar nga maja e fronit, Ceferinit, e deri tek homologët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv. Kur e gjithë bota, edhe ajo që i përket hapësirës së futbollit, e ka përjetuar dramën shqiptare sikur të ishte edhe dramë e tyre, përse u dashka t’i përulemi ( nëse me të vërtetë është folur për ndihma) kësaj zonje me poza , e cila quhet UEFA! Por, le ta mirëbesojmë se UEFA do të vërë dorën në zemër, por si do t’ia bëjmë me zakonin tonë të vjetër. Ne, akoma nuk dimë saktë sa kanë kushtuar stadiumet të tre së bashku, sa po ngjitet fatura e zyrave të FSHF-së dhe, si për dreq, të na shtohet edhe një mister financiar. Le të mos fluturojmë me shifra, të mbetemi tek premtimi teorik i FSHF-së për të dhuruar 3 apartamente për ata që humbën shtëpitë! Një fakt që të ngacmon sedrën, sepse futbolli, sporti që flet me prepotencë me gjuhën e milionave, vesh uniformën e betonit.. për t’u futur në listën e bamirësve…
Gëzim Sinemati
Botuar ne Panorama Sport