Në këtë moshë shumë yje të sportit e kanë karrierën të mbyllur, ose mezi zvarriten në liga më të ulëta sesa janë mësuar kur kanë qenë në elitë. Kristiano Ronaldo nuk është i tillë, dhe dashamirësit e futbollit do të vazhdojnë ta shikojnë edhe për disa kohë në nivelet më të larta. Edhe pse sot ai mbush 36 vjeç! Superylli portugez nuk duket i kënaqur me çfarë ka arritur, duke pasur një ambicie të jashtëzakonshme në sport, e duke konkurruar me legjendat e tjera si Mesi, Maradona, Pele apo Bican, për rekordet e lojës më popullore të botës.
Padyshim, i ndihmuar nga fiziku i tij që është i lindur, dhe nga karakteri që gjithashtu në një pjesë të madhe është i lindur, ai po shtyhet përpara dhe synon tituj të tjerë. Në 36 vjet jetë dhe gati 19 vjet në nivelet e larta, ai ka fituar 31 trofe të mëdhenj, përfshi 7 tituj kampion dhe 5 Champions, pa harruar kupat e superkupat e ndryshme kombëtare, Kupën e Botës për klubet të fituar 4 herë, si dhe Kampionatin Europian dhe Ligën e Kombeve me kombëtaren e Portugalisë. Kristiano ka fituar 5 Topa të Artë (një më pak se Mesi), ndërsa është zgjedhur 14 herë në ekipin e vitit nga FIFA, një rekord që e ndan pikërisht me Mesin.
Ai ka shënuar 660 gola për klubet dhe 762 gola në total, dhe thuhet se ka kaluar rekordin botëror të mbajtur nga çeko-austriaku Jozef Bican. Po ashtu, ai ka rekordin e golave në Champions me 134 gola, ndërsa është shënuesi i dytë më i mirë me kombëtaret për të gjitha kohët, duke pasur 102 gola ndaj 109 të Ali Daeit të Iranit. Me gjasë, CR7 do ta thyejë këtë rekord. Pagesa prej 94 milionë eurosh që Reali bëri për të në 2009 për ta marrë nga Mançester Junajtidi ishte rekordi botëror i transferimeve në futboll, ndërsa pagesa prej 100 milionë eurosh nga Juventusi në 2018 mbetet më e larta për një lojtar mbi 30 vjeç.
Sfidanti.al