Ditë e pikëlluar për tenisin, “Binjakët Magjikë” mbyllin karrierën

Njihen si vëllezërit më të shquar të këtij sporti në të gjithë botën, dhe në të gjitha kohët. Binjakët amerikanë Bob dhe Majk Brajan i dhanë fund karrierës në moshën 42-vjeçare, pas 22 vitesh tepër të suksesshëm. “Mendojmë se erdhi koha të themi mjaft, – deklaruan ata, – trupi ynë nuk mund të përballojë më ngarkesën që duhet për të qenë në kulm. Vitin e fundit kemi luajtur më shumë për të falenderuar tifozët”.

Ata kanë qenë së bashku në vendin e parë të renditjes së dysheve për 438 javë, ndërsa Majku ka qenë për 506 javë, një rekord. Rekord është edhe periudha prej 139 javësh pa ndërprerje që binjakët kanë qenë në krye të renditjes. Të dy së bashku kanë fituar 16 Grand Sleme, ndërsa Majku ka arritur në 18, kanë fituar 39 turne Masters, 4 Finalet e Turit Botëror dhe medaljen e artë olimpike në 2012 në Londër. Me SHBA-në kanë fituar Kupën Dejvis më 2007. Ata janë padyshim edhe dyshja që kanë fituar më shumë nga ana financiare, dhe llogaritet se kanë marrë gati 17 milionë USD në karrierë.

Sfidanti.al