Është kthyer në një telenovelë të vërtetë, por kjo po kalon, ndaj pritet seria e fundit. Marash Kumbulla mësohet se është edhe më pranë Interit, pavarësisht rezistencës së klubit të tij, Veronës, dhe konkurrencës së mundshme të Lacios apo pse jo edhe të Juventusit. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare mund të ndryshojë fanelë për punë ditësh.
Kanali Skaj Sport Italia informon se formacioni bazë i skuadrës së Kontes për sezonin e ardhshëm pritet të ketë të përbërje Kumbullën dhe Arturo Vidalin që besohet se do të merret nga Barcelona. Po ashtu, shkruhet se ai do të largojë mbrojtësin Milan Shkriniar, duke i zënë vendin. Mediat italiane njoftojnë se Interi mbetet favorit për ta marrë shqiptarin, me të cilin ka edhe marrëveshje për kontratën.
Gjithsesi, ende i duhet që të merret vesh me Veronën, e cila kërkon 30 milionë euro për kartonin, ndërsa zikaltërit nuk japin më shumë se 18 milionë, plus dy lojtarë. Sidoqoftë, Verona mësohet se po nxiton për të siguruar shërbimet e mbrojtësit Xhanxhakomo Manjani, gjë që tregon se largimi i Kumbullës është çështje kohe.
Qendërmbrojtësi 20-vjeçar ishte një nga zbulimet e sezonit në Serinë A, një nga lojtarët që patën rritjen më të madhe sportive, si dhe të vlerës së kartonit. Ai është bashkuar në stërvitje me skuadrën në zonën me klimë të freskët në Valgardena dhe pret se kur do të përcaktohet e ardhmja e tij.
Sfidanti.al