Një tjetër vend i parë një ditë para garës. Ljuis Hamilton nuk tregoi asnjë shenjë ngadalësimi këtë sezon të Formula 1, duke fituar edhe provat zyrtare të Çmimit të Madh të Belgjikës. Kampioni i botës arriti suksesin e 93-të në karrierë në këto prova, një rekord absolut në histori, duke lënë më shumë se gjysmë sekondi prapa shokun e tij të skuadrës, Valteri Botas. Anglezi 35-vjeçar dha kohën 1’41”252, dhe është favorit për të arritur fitoren në garën e së dielës.
Ai kryeson renditjen e Botërorit me 132 pikë, 37 më shumë sesa holandezi Maks Verstapen, që doli i treti në prova me makinën e tij Red Bull. Gara për “pole position”-in përfundoi në një katastrofë të re për Ferrarin, madje edhe më të madhe sesa dështimet e kaluara të këtij sezoni, pasi pilotët e tij Lëklerk e Fetel zunë, përkatësisht, vendet e 13-të e të 14-të, duke u eleminuar që në çerek orën e parë. Hamilton, gjashtë herë kampion i botës, shpreson të arrijë në Belgjikë fitoren e 89-të në karrierë, për të qenë vetëm dy fitore prapa rekordit të Mikael Shumaherit. Sipas të gjitha gjasave, këtë sezon ai do të barazojë Shumaherin me 7 tituj kampion në Formula 1.
Sfidanti.al