“Dinastia Golden Stejt” më e fortë se supermeni Lebron!

Nuk pritej që gjithçka të përfundonte kaq shpejt, por NBA e njeh tashmë kampionen e re. Është e njëjta, Golden Stejt Uorriors, ajo që fitoi vjet dhe që ka dominuar 3 nga 4 kampionatet e fundit, gjithnjë ndaj të njëjtit kundërshtar, Klivlend Kavaliersit.

“Dinastia” e sapokrijuar doli përsëri më e fortë sesa supermeni Lebron Xhejms, basketbollisti më i fortë i planetit dhe me diferencë me të tjerët. Leksioni ishte i pamëshirshëm, dhe ai që dihej: Nuk mjafton një yll i vetëm, qoftë edhe mbinjerëzor, për të fituar një titull, duhen disa të tillë.

Golden Stejti i pati te Kevin Duranti, që u shpall sërish Lojtari më i Mirë i Finaleve, ashtu si dhe vjet. i pati tek Stefën Kërri, te kapiteni Klej Tompson, tek polivalenti Drejmond Grin, dhe tek lojtarët e tjerë të talentuar dhe me mentalitet kampioni si Andre Iguodala, Shon Livingston apo Mekgi.

Formacioni nga Kalifornia fitoi edhe ndeshjen e katërt, sërish në fushën e Klivlendit, madje thellësisht 108-85, duke dominuar plotësisht në një Arenë të mbushur plot, por që u duk sikur po bënte një funeral. Suksesi ishte 4-0, një “fshirje me fshesë” sipas zhargonit të NBA-së, diçka që nuk ndodh shpesh në këtë ligë.

Stefën Kërri shënoi 37 pikë, por Kevin Durant u shpall sërish më i miri i finaleve, pas tripëll dabëllit (20 pikë, 12 topa në tabela, 10 asistë). Lebron këtë herë bëri diçka më pak: 23 pikë, 7 topa në tabela, 8 asistë, por padyshim iu bë një padrejtësi. Duhej të kishte qenë ai lojtari më i mirë, jo Duranti, pavarësisht se kush fitoi titullin. Mbetet të shihet se ku do të jetë e ardhmja e Lebronit, kontrata e të cilit përfundon këtë vit, dhe pritet që të largohet nga Klivlendi, pasi në moshën 33-vjeçare synon të fitojë sërish tituj.

Sfidanti.al