Nga brezi i mëparshëm shumëkush e kujton filmin “Dhe i vetëm, trim në luftë”. Gjithsesi, kjo shprehje do t’i shkojë në mendje gjithkujt nëse do të mësojë historinë e një tifozi në Zvicër. Ai quhet Emanuel Masmezhan dhe është përkrahës i skuadrës së ligës së dytë, FC Le Mon. Qëlloi që Masmezhan duhej të shkonte të ndiqte ekipin e tij të zemrës në Zyrih, ku do të ndeshej me skuadrën e sulmuesit të kombëtares së Shqipërisë, Armando Sadiku. Kur mbërriti në stadium, ai kuptoi se ishte i vetmi tifoz i Le Monit mes saktësisht 8489 spektatorëve në stadium.
Gjithsesi, kjo nuk e stepi aspak Emanuelin, i cili brohoriti dhe thirri gjatë gjithë kohës në mbështetje të idhujve të tij. Jo vetëm kaq, por ai ishte pajisur me daulle dhe me letra që i hidhte vazhdimisht rreth e rrotull tij, a thua se po udhëhiqte një grupim të tërë tifozësh ultras. Emanueli tregoi për mediat zvicerane se ai nuk kishte mbërritur në Zyrih me makinë, tren apo autobus, pasi nuk e kishte asnjë nga këto mundësi. Si ia kishte dalë, pra? Fare thjesht, kishte kërkuar leje dhe kishte udhëtuar bashkë me autobusin e skuadrës, një kënaqësi e madhe të cilën ai ia shpërbleu Le Monit në stadium.
Informacioni i fundit për Emanuelin është që ky tifoz nuk është më shumë se 14 vjeç, dhe se mbështetjen për ekipin e nisi 90 minuta para fillimit të ndeshjes dhe e vazhdoi deri në fund të saj. Ja pra, vërtet “dhe i vetëm, trim në luftë”.
B. Kuka