Nuk mund të shkosh në “Kamp Nou” dhe të luash mirë për 45 minuta pa shënuar gol. Barcelona nuk e lejon këtë, as kur përballë ka skuadrën e trajnerit ndoshta më të madh të historisë së saj. Mançester Siti mori një mësim që do ta mbajë mend gjatë, ndërsa Guardiola do të vazhdojë të pyesë veten se cili kishte më shumë meritë në trofetë e fituara me katalanasit, vetë ai, apo Lionel Mesi.
Numri 10, pasardhësi i Maradonës, u duk si “i lëshuar nga zinxhirët” kur iu dha mundësia të luante futboll përsëri pas disa javësh dëmtim. Shënoi 3 nga 4 golat e mbrëmjes, duke qenë padyshim më i miri në fushë, dhe duke iu afruar Ronaldos në renditjen e shënuesve të Ligës së Kampionëve. Rekordmeni portugez ka 95 gola, argjentinasi ka tani 89, por duke luajtur mjaft ndeshje më pak sesa ylli i Realit.
Barça përfitoi nga dalja me të kuqe e portierit të Sitit, (ish-i veti) Klaudio Bravo në minutën e 53-të, kur ndeshja ishte 1-0. Mesi vazhdoi festivalin e tij, ndërsa Nejmar shtoi golin e katërt pasi humbi penallti. Edhe tek vendasit pati një të kuq, ai i Matjësë në 73’. Skuadra e trajnerit Luis Enrike kryeson grupin C me 9 pikë të plota ndaj 4 të Sitit dhe 3 të Borusias së Mynshengladbahut që triumfoi 2-0 në Skoci, në fushën e Sëlltikut. Shtindl e Han ishin autorët e golave për gjermanët.
B. Kuka