De Brujni e ka me Turenë: Kur nuk luan shpik shumë gjëra

Nuk dëshiron të zgjedhë mes trajnerit dhe njërit prej shokëve të skuadrës, edhe pse mendimin e tij në fund duhet ta thotë. Kevin De Brujn tregohet edhe i kujdesshëm, por edhe i drejtpërdrejtë në përgjigjen që jep, kur pyetet për çështjen “Jaja Ture”. Mos vallë mesfushori ka të drejtë duke thënë se Guardiola nuk i do lojtarët afrikanë?

“Nuk di nëse fjalët e Turesë janë të sakta apo të ekzagjeruara, – u shpreh belgu, – por, kur dikush nuk luan gjithnjë përpiqet të gjejë diçka. Unë vetë nuk kam pikasur asgjë, natyrisht do të ishte shumë e shëmtuar nëse trajneri ishte racist me të gjithë zezakët në skuadër”.

De Brujni vazhdoi duke thënë se “ne patëm sezonin më të mirë të mundshëm, më të mirin e të gjitha kohëve, dhe kjo do të thotë se trajneri mori vendimet e duhura për lojtarët që aktivizoi”. “Ndoshta këtë vit, trajneri gjykoi se (Tureja) nuk ishte në formën e duhur dhe nuk mund të luante aq shumë, – përfundoi Kevin De Brujni, – unë kurrë nuk kam parë racizëm tek Siti”.

Sfidanti.al