Objektivi i kësaj skuadre nuk ishte kalimi i turit, të cilin gjithsesi ende nuk e ka bërë. Paris SG është ndërtuar për të fituar Championsin, dhe kush e ka harruar ceremoninë pompoze në nisje të sezonit kur u prezantuan Mesi, Ramos, Donaruma, Hakimi e Vajnaldum? Gjithsesi, kjo “plejadë yjesh” nuk po e ndihmon trajnerin mjaft të zot, Maurisio Poçetino, ndërsa PSG shpëtoi nga një humbje në Gjermani ndaj Lajpcigut që do të kishte qenë e merituar. Në mungesë të Lionel Mesit, në fushë ishin Nejmar e Mbape, por vendasit bënë më shumë, pavarësisht se dy golat e Vajnaldumit e mbajtën ekipin parizien në epërsi 2-1 deri në fund. Nkunku shënoi për gjermanët, i pesti gol i tij këtë fazë grupesh, por mesfushori holandez përmbysi shifrat. Kur rezultati ishte 1-0, Donaruma shpëtoi PSG-në nga goli i dytë duke ndaluar penalltinë e Silvës. Në fund, një tjetër penallti dhe Soboslai barazoi në 2-2. Edhe mediat franceze pohuan se ekipi i tyre nuk meritonte më shumë. Ky ishte “refreni” i “Lë Parizienit” apo “L’Ekipit”. PSG ka zbritur në vend të dytë në grup i kaluar nga Mançester Siti, ndonëse nuk besohet se do të rrezikohen nga Klub Bryzhi. Gjithsesi, kur mendon për ndeshjet e ardhshme me rivalë si Bajerni, Reali apo Liverpuli, duket e vështirë që Championsi të fitohet.
Sfidanti.al