Me dy fitore Interi kualifikohet në vend të parë, Inzagi: Tani, për derbin!

Gjëja kryesore në këtë mes është që kjo skuadër e ka në dorë fatin e saj. Ishte themelore fitorja në Moldavi dhe ajo erdhi e pastër dhe e bukur me shifrat 3-1, ndonëse Interi gjigand ishte përballë një rivali liliput për nga emri dhe buxheti si Sherifi i Tiraspolit. Gjithsesi, fitorja ishte e rëndësishme dhe fakti është që nëse zikaltërit i fitojnë të dyja ndeshjet e mbetura, përfundojnë jo vetëm të kualifikuar, por edhe në vendin e parë në grup. Brozoviç, Shkriniar e Aleksis Sançez ishin autorët e golave. Brozoviç, Barela e Vidal morën notën 7.5 nga “La Gazeta delo Sport”, ndërsa Aleksis Sançez shënoi vetëm 30 sekonda pasi hyri në fushën e lojës. “U treguam të zotët që fituam dy ndeshje radhazi që nuk ishin edhe aq të lehta pasi Sherifi kishte mundur Shahtarin dhe Realin, – tha trajneri Inzagi, – ne nuk e humbëm qartësinë për asnjë moment. Jemi zotër të fatit tonë. Gjithsesi, tani të mendojmë për derbin pasi na pret një ndeshje që e dimë mirë se çfarë do të thotë për tifozët dhe për klubin”.

Sfidanti.al