Ai ka tani 75 gola në Champions, duke qenë shënuesi i katërt i të gjitha kohëve. Karim Benzema është pjesë e “bandës” së yjeve të sotëm që kanë lënë pas ata të dikurshmit dhe po bëjnë ligjin e po ngrenë “stëkën” atje ku nuk ka qenë asnjëherë. Sulmuesi i Realit të Madridit ishte vendimtar në fitoren e vështirë 2-1 ndaj Shahtarit të Donjeckut në “Bernabeu”, duke realizuar që të dy golat. Kombinimi i tij me Vinisiusin ka nisur të japë fryte dhe janë larg ditët kur francezi akuzonte brazilianin për egoizëm. Benzema ka 13 gola në 14 ndeshje për Realin këtë sezon, të cilave u duhen shtuar edhe nja 7 apo 8 asistë. E gjitha kjo tregon vlerën që sulmuesi nga Franca ka për spanjollët, aq sa në Madrid e cilësojnë të denjë për Topin e Artë, po aq sa Mesin e Levandovskin. “Ndonjëherë ne ndjejmë lodhjen, – tha ai pas ndeshjes, – po luajmë çdo 3-4 ditë. Ndodh që thjesht duhet të fitojmë, edhe pse mund të jetë fitore e shëmtuar”.
Sfidanti.al