Ajaksi synon ta mërzisë elitën e futbollit në Europë

Fitorja 3-1 në “Signal Iduna Park” nuk ishte e njëjta gjë me shkatërrimin që i ndodhi Dortmundit në ndeshjen e kaluar në Holandë, por gjithsesi vazhdimësia po habit kontinentin. Ajaksi është kthyer papritur sërish në një skuadër të fortë në Champions, një nga të paktat që siguroi kualifikimin bashkë me Bajernin, Juventusin e Liverpulin, kur janë luajtur vetëm 4 nga 6 ndeshje në grup.

“Heshtëtarët” pësuan gol shpejt në Gjermani, por u ndihmuan nga kartoni i kuq ndaj Mats Humelsit për të arritur përmbysjen në 20 minutat e fundit. “Ne duam që t’i mërzisim klubet e elitës në Europë, – tha trajneri Erik Ten Hag pas kualifikimit, – nuk po them se ne jemi favoritë në Champions, por askush nuk dëshiron një short ndaj nesh”. Ten Hag është trajneri i dytë më jetëgjatë tek Ajaksi, pas Luis Van Galit, ndërsa në 2019 e drejtoi ekipin deri në gjysmëfinalet e Championsit ku u eleminua në sekondat e fundit nga Totenhemi.

Sfidanti.al