Rrallë mund të ndodhë që një klub të ndihet i detyruar të bëjë një deklaratë zyrtare pas një interviste të një futbollisti të skuadrës. Kjo i ndodhi Barcelonës me Lionel Mesin, pasi zëdhënësi i bordit drejtues, Zhozep Vives, foli ndërsa prezantoi të dhënat në “Observatorin Blaugrana”. “Intervista e Mesit ishte krejt normale, – tha Vives, – foli me transparencë të plotë. Për Nejmarin, tha se nuk e di nëse klubi bëri maksimumin sepse nuk ishte pjesë e bisedimeve, po ashtu pohoi se PSG është vështirë të bindet. Klubi bëri gjithçka të mundshme, këtë e sqaroi presidenti, por nuk patëm rezultat”.
Gjithsesi, kur kapiteni dhe lojtari më i rëndësishëm thotë se nuk e di nëse është bërë maksimumi, edhe pasi presidenti deklaron se maksimumi u bë, do të thotë se Mesi ka dyshime për fjalët e kreut të klubit. Përsa i përket të ardhmes së kapitenit, Vives deklaroi se Barcelona dëshiron të fitojë trofe, ashtu si Mesi, dhe shtoi se ekipi është më i mirë këtë vit sesa vitin që kaloi.
Sfidanti.al