Ishte minuta e 37-të e ndeshjes ndaj Sauthemptonit, kur njëri nga lojtarët më të mirë të Çelsit, Uillian, u detyrua të linte fushën e lojës. Publiku në “Stemford Brixh” u ndje keq, por edhe më keq ishte për trajnerin Mauricio Sarri, aq më tepër me rezultatin 0-0 të kësaj ndeshjeje të Premier Ligës. Dëmtimi i brazilianit të rëndësishëm ishte thjesht fatkeqësia e radhës për blutë londinezë.
Sulmuesi Olivie Zhiru, mesfushori Sesk Fabregas (ia doli të luante), sulmuesi tjetër Pedro, po ashtu mesfushori Deni Drinkuotër ishin që të gjithë nën kujdes mjekësor. Lajmet nuk ishin plotësisht të mira për Kallëm Hadson-Odoin dhe Ruben Loftus-Çekun, edhe pse ky i fundit hyri në fushë ndaj Sauthemptonit, në vend të Uilliamit. Mateo Kovaçiç u la krejtësisht jashtë ekipit nga Sarri, edhe pse parashikimet ishin që kroati mund të ishte në formacion.
Fati tjetër i keq i Çelsit ishte anulimi i golit të Alvaro Moratës, i cili ndoshta ishte i rregullt, dhe Premier Liga vazhdon ta vuajë mungesën e teknologjisë VAR. Pas 21 ndeshjeve të luajtura, Çelsi ka 44 pikë dhe është sërish në vend të katërt në kampionat.
Sfidanti.al