Kristiano Ronaldo ishte njeriu i ngritur në “Olimp” mbrëmjen e së martës dhe të mërkurën gjithë ditën, Lionel Mesi “mori turnin” mbrëmjen e së mërkurës, për të vazhduar të enjten. Ky ka qenë rituali thuajse i përpiktë i dyshes legjendare që nga viti 2008, dhe “bishat e uritura” për trofe e lavdi nuk duan të heqin dorë.
Pasi Ronaldo realizoi paraqitjen e jashtëzakonshme ndaj Atletikos, me 3 gola në fitoren 3-0 të Juventusit, dhe me përmbysjen e eleminimit në kualifikim, Mesi iu përgjigj me dy gola dhe dy asistë në suksesin 5-1 të Barcelonës ndaj Lionit. Gjithnjë në Champions, e ku tjetër përveçse në kompeticionin numër 1 të klubeve në Europë.
Barazimi 0-0 nuk i prishi punë katalanasve, ndërsa u tregua fatal për bavarezët, të cilët mund të kenë Levandovskin e të tjerë, por jo Mesin. Barça kaloi në avantazh me penalltinë e fituar pa të drejtë nga Suarezi, por të realizuar nga Mesi, si “Panenka”. Suarez shërbeu asistin për golin e dytë, shënuar nga Kutinjo, ndërsa Lioni mori edhe ai ndihmën nga arbitri në golin që ngushtoi shifrat, pas një faulli ndaj një lojtari vendas.
Spektakli i Mesit nisi në momentin më të vështirë të ekipit të tij. Shënoi me aksion personal golin e tretë, pastaj shërbeu asistin për Gerard Pikenë që shënoi të katërtin, por nuk u mjaftua me aq. Dha edhe asistin për golin e pestë, nga Usman Dembele.
Kapiteni i katalanasve ka tani 108 gola në Champions, ndaj 125 të Ronaldos, kjo edhe për shkak se ka luajtur shumë më pak ndeshje se portugezi (131 ndaj 166). Mesi ka 8 gola në 6 ndeshje këtë edicion në Champions, dhe 36 rrjeta në 36 paraqitje si sezon në total. Argjentinasi po i drejtohet vitit të 10-të sportiv me të paktën 40 gola të shënuar.
Falë tij, Barcelona lufton në çdo “front”, e shkëputur në krye të La Ligës, e kualifikuar në finale të Kupës së Mbretit në Spanjë, dhe tani në çerekfinale të Championsit.
Sfidanti.al