Çelsi ka fituar çdo trofe të mundshëm, Tuheli ia dedikon Abramoviçit

Sot është klubi i shtatë më i vlefshëm i futbollit në botë, dhe klubi i tetë në botë për fitimet vjetore, ndërsa dikur nuk ka qenë kështu. Në historinë e Çelsit ka dy epoka, ajo para Roman Abramoviçit, dhe ajo pas miliarderit rus. Nga themelimi në 1905 e deri në 2004, londinezët fituan 10 trofe të rëndësishëm, ndërsa pasi aksionet i bleu Abramoviçi, nga viti 2004 deri më sot, janë fituar 21 të tillë, përfshi 5 tituj në Premier Ligë, 2 Champions, 2 Liga të Europës, Superkupën e Europës dhe tani Kupën e Botës për Klubet.

Jo më kot, Tomas Tuheli tha se ia dedikon Abramoviçit fitoren e fundit, dhe pronari i klubit ishte në Abu Dabi, bashkë me shefen Marina Granovskaja, ndërsa zbriti në fushë për të përgëzuar trajnerin. Agjencitë e statistikave thonë se Çelsi bashkohet në “Olimpin” e futbollit me shumë pak skuadra të elitës që kanë fituar çdo trofe të rëndësishëm, të paktën një herë. Vetëm Ajaksi, Juventusi, Bajerni i Mynihut dhe Mançester Junajtidi kanë mundur ta bëjnë këtë, përveç Çelsit.

Sfidanti.al