Boksieri maroken si Tajsoni, kafshon kundërshtarin por shpëton si Suarezi!

Nuk është nga më të mirët, por ambicien e kishte madje të tepruar. Junes Bala, boksieri maroken 22-vjeçar nuk pati një përvojë të këndshme në Lojrat Olimpike, madje fitoi epitetin e të keqit numër 1 pas veprimit që bëri në ring. Luftëtari i peshës së rëndë u përpoq të kafshonte rivalin e tij, Dejvid Nika nga Zelanda e Re, diçka që shkaktoi tronditje të madhe, ndonëse ai nuk arriti të bënte një kafshim të plotë. Gjithsesi, për habinë e të gjithëve, gjyqtari nuk e skualifikoi Balën, i cili mundi ta përfundonte ndeshjen ndonëse doli i humbur me vendimin unanim 5-0 në favor të neozelandezit.

Menjëherë veprimi i tij u krahasua me atë të Majk Tajsonit në ndeshjen e famshme të revanshit ndaj Evander Holifildit në 28 qershor 1997 në Las Vegas. Ish-kampioni absolut i peshave të rënda u përpoq të hakmerrej atëherë për humbjen e pësuar ndaj Holifildit në 1996, por zemërimi ia errësoi mendimin. Ndryshe nga Bala, Tajsoni u skualifikua për 1 vit dhe u gjobit me 3 milionë USD.

Sidoqoftë, fatlum si Bala ishte Luis Suarezi. Sulmuesi i Uruguajit kafshoi në shpatull Xhorxho Kielinin e Italisë, në ndeshjen në grup në Kupën e Botës të vitit 2014 në Brazil. Edhe në këtë rast, Suarezi i shpëtoi kartonit të kuq për shkak se gjyqtarët nuk arritën ta shihnin gjestin e tij, kjo edhe pse Kielini protesoi fort më pas duke treguar shpatullën e kafshuar. Suarezi u pezulluar më pas nga FIFA për 9 ndeshje dhe u gjobit me 100 000 franga zvicerane.

Sfidanti.al