Kërshëria ishte e madhe në Medison Skuer Garden. Një javë më parë, një tronditje e vërtetë ndodhi në atë që mbiquhet “Meka” e boksit profesionist botëror, por normaliteti u rikthye. Shtatë ditë pas humbjes së kampionit të botës, Entoni Xhoshua, një ish-kampion fitoi ndeshjen e tij dhe menjëherë kërkoi të luftonte për brezat e artë.
Genadi Golovkin mundi në katër raunde kanadezin Stiv Rolls, në duelin e peshave të mesme, duke lënë pas humbjen me polemika shtatorin e kaluar me meksikanin Kanelo Alvarez. Legjenda nga Kazakistani, i njohur më shumë me inicialet e tij të emrit, GGG apo Tre G, e nisi ngadalë duelin, sikur të kishte zënë ndryshk pas 9 muajsh jashtë ringut, dhe kundërshtari e testoi disa herë.
Gjithsesi, klasi nuk mund të mohohej, dhe veteran 37-vjeçar shkëlqeu në momentin e duhur. Kur kishin mbetur 51 sekonda nga përfundimi i raundit të katërt, ai lëshoi të majtën e tij të njohur duke i dhënë fund luftës. Rolls, edhe ai veteran 35-vjeçar, u përpoq të ngrihej përsëri, por ishte e pamundur. Golovkin, arriti fitoren e 39-të në 41 ndeshje, të 37-ën me nokaut.
Me t’u shpallur fitues, njeriu që nuk është rrëzuar kurrë në ring në karrierë, kërkoi ndeshjen që të gjithë e presin. “Ju e dini se me cilin kërkojnë tifozët që të ndeshem, – tha ai, – ishte një natë e madhe boksi. Jam gati të kthehem në shtator për një tjetër dramë të madhe. Më pëlqejnë fitoret me nokaut. E dashuroj Nju Jorkun”. Mbi 12 000 tifozët në Medison Skuer Gardën presin tani duelin e tretë Golovkin-Alvarez, për titullin botëror në peshat e mesme.
Sfidanti.al