Premier League duket se do të mirëpresë sërish Zhoze Murinjon, me portugezin që pritet të zgjedhë një tjetër skuadër që nuk bën pjesë mes 6 ekipeve kryesore të këtij kampionati. Bëhet fjalë për Njukasëllin që duket se do të këtë pronarë të rinj. Sipas asaj që është publikuar në median britanike pronari aktual i Njukasëllit, Majk Eshli ka nisur tratativat me sheikun Al Nehajan për shitjen e klubit, bisedime që duket se kanë avancuar shumë.
Gjithnjë sipas medias britanike, në projektin e sheikëve prej 350 milionë Paund, emri kryesor do të jetë Zhoze Murinjo që do të zëvendësojë në këtë mënyrë Rafael Benitez. Vetë Murinjo ka deklaruar se dëshiron të punojë me një projekt serioz edhe pse mund të mos jetë fitues që në fillim dhe Njukasëlli duket se shumë shpejt do ta ketë atë.
Por jo vetëm kaq, tekniku portugez për të cilin u fol edhe për një kalim te Roma apo Milan, u ka rrëfyer miqve të tij se ideja për të marrë drejtimin e Njukasëllit është një opsion të cilin ai do ta marrë në konsideratë.
sfidanti.al