Më shpesh në futboll fitohet me zemër, por edhe me përvojë. Gjithashtu, edhe kur ke mbështetjen e mbi 40 000 spektatorëve në stadium. Këtë bëri edhe Portugalia që fitoi edicionin inaugurues të Ligës së Kombeve, kompeticionit të tretë për nga rëndësia për kombëtaret, por një sukses që dha kënaqësi të madhe. Finalen ndaj Holandës në “Estadio do Dragao” të Portos e siguroi goli i shënuar nga Gonsalo Gedes në minutën e 60-të, ndërsa “tulipanëve” nuk u mjaftoi talenti i madh, sidomos në mbrojtje dhe mesfushë.
Kristiano Ronaldo nuk mundi të shënonte këtë herë, veçse udhëhoqi skuadrën si kapiten drejt trofeut të tij të dytë të madh me kombëtaren, pas Euro 2016-ës. Ai shmangu një zhgënjim të dytë si ai i vitit 2004, kur u mund 0-1 në finalen e Europianit në Lisbonë nga Greqia e Oto Rehagelit. CR7-ta nuk ishte aq i shkëlqyer si ndaj Zvicrës, por kjo nuk prishi punë. Kapiteni dha maksimumin dhe nxiti skuadrën me lidershipin e tij, madje u kthye edhe në mbrojtje pasi Portugalia kaloi në avantazh, duke nxitur shokët e tij që të mos dorëzoheshin si në 2004.
Holanda u përpoq shumë, por nuk ia doli, besohet së pari për shkak se portugezët e dëshironin më shumë. Vendasit luftuan fort në pjesën e parë, duke gjuajtur 12 herë drejt portës, por asnjëherë rrezikshëm. Pas pushimit, skuadra e trajnerit Ronald Kuman ekuilibroi lojën, madje bëri edhe më shumë, por për fat të keq, i prishi punë sulmi jo në nivelin botëror.
Portugalia: Rui Patrisio, Semedo, Fonte, Dias, Gerrero, Fernandez (Mutinjo), Danilo, Karvaljo, Bernardo Silva, Ronaldo, Gedes (Silva). Tr. Santos.
Holanda: Cilesen, Dumfris, De Ligt, Van Dajk, Blind, De Rong (De Jong), Frenki De Jong, Vajndaldum, Bergvejn (Van de Bek), Debai, Babel (Promes). Tr. R. Kuman
Gjyqtar: Majenko
Sfidanti.al