Fitoren ndoshta e kishte në dorë. Sebastian Fetel pati mundësinë që t’i jepte fund si triumfator Çmimit të Madh të Kanadasë në Formula 1, pasi dominoi provat e lira, e fitoi vendin e parë në provat zyrtare. i nisur nga vendi i parë, e duke kryesuar thuajse çdo xhiro, piloti gjerman i Ferrarit kishte lënë pas shokun e skuadrës, Leklerk, dhe po përballonte sulmet e Mercedesit të Ljuis Hamiltonit.
Veçse, nuk qe e thënë të përfundonte kështu. Në xhiron e 48-të, atij i doli paksa makina nga kontrolli dhe doli jashtë piste, në pjesën me bar. Duke parë që Hamilton do ta parakalonte, preu timonin rrufeshën dhe hyri në pistë duke rrezikuar përplasjen. Vetëm frenimi i fortë dhe manovrimi i anglezit bënë që të shmangej më e keqja.
Menjëherë, komisarët e pistës morën vendim, dënim me 5 sekonda për Fetelin, dhe kjo i kushtoi në fund fitoren, edhe pse kaloi vijën përpara Hamiltonit. Diferenca në pistë ishte më pak se 1.4 sekonda, ndaj pas aplikimit të dënimit, Feteli mbeti rreth 3.7 sekonda prapa, pra zyrtarisht u rendit i dyti.
Katër herë kampioni i botës bëri skena të forta në përfundim, duke bërtitur në radio se “na e vodhën fitoren”, duke shtyrë makinën me duar për të mos e vendosur në pozicionin e parashikuar nga rregullorja, krah Hamiltonit e Leklerkut, duke hequr shenjën me numrin 1 nga makina Mercedes, e duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit gjatë ceremonisë së dorëzimit të kupave.
Gjithsesi, siç shkruan gazeta spanjolle “Marka”, Fetel nuk pati të drejtë. Rregullorja në raste të tilla shkruan qartë se “piloti duhet të rihyjë në pistë në mënyrë të sigurtë”, gjë që gjermani nuk e bëri. Për më tepër, në radhët e komisarëve ishte një italian, Emanuele Pirro, madje ai ishte shefi, ndaj asgjë nuk duket si një komplot ndaj Ferrarit. Pas 7 garave, Hamilton kryeson me 162 pikë ndaj 132 të shokut të skuadrës, Valteri Botasit, me Fetelin në vend të tretë me 100 pikë. Për skuadra, Mercedesi ka 294 pikë, dhe Ferrari 173.
Sfidanti.al