Reali i Madridit na ka mësuar me blerje ‘galaktike’ në merkaton e transferimeve dhe në fushatën e këtij viti ai pritet të vendosë një rekord të ri. Ideja e presidentit Florentino Perez është që të sjellë në Madrid futbollistë kostoja e të cilëve në total pritet të shkojë në 400 milionë Euro që do të thyejë rekordin e 2009 kur Los Blancos shpenzuan 264 milionë Euro.
Ky projekt i ri i Realit të Madridit nisi me blerjen e Militaos, për të vijuar me atë të Jovic për 60 milionë Euro, por kulmin deri tani Reali e ka arritur me Eden Hazard për të cilin shpenzoi 100 milionë Euro për kartonin dhe 50 milionë Euro të tjera në formën e bonuseve. Po kështu këtyre lojtarëve pritet t’i bashkohet edhe Rodrigo, ndërkohë që projekti përfshin edhe ardhjen një mes Mendi, Pogbasë ose Eriksen.
Përsa i përket Pogbasë, problemi qëndron te Mancester Junajtid që kërkon 160-180 milionë Euro. Nëse Reali e plotëson këtë pretendim të Djajve të Kuq kostoja e projektit shkon në 475 milionë /Euro, ndërsa në rastin e Eriksen, ardhja e mundshme e danezit e con koston në 375 milionë. Por klubi madrilen ka edhe një problem tjetër me të cilin do të duhet të përballet për realizimin e këtij projekti me vlera marramendëse; rregullin e Fair Play Financiar. Së fundmi UEFA ka bërë ndryshime në këtë rregull duke vendosur që klubet nuk duhet të krijojnë një diferencë prej më shumë se 100 milionë Euro mes shpenzimeve dhe të ardhurave nga merkatoja e transferimeve.
Në këtë rast Realit të Madridit për të qenë brenda këtij rregulli do të duhet të shesë lojtarë aktualë për vlerën e 300 milionë Eurove. në këtë pikë lind problemi tjetër; ai i futbollistëve që janë aktualisht pjesë e Realit të cilët për momentin duket se nuk kanë ndërmend që të largohen nga klubi madrilen.
sfidanti.al