Bileta blihet edhe … 12 000 euro, por kujdes nga falsifikatorët!

Ka njerëz që shpenzojnë paratë e jetës së tyre për alkool, drogë, ushqim, turizëm, bixhoz apo libra, siç ka edhe nga ata që ia kushtojnë gjithë jetën fitimit të parave. Tifozët e futbollit janë kategoria e veçantë që e kanë dorën “të shpuar” kur vjen puna tek realizimi i ëndrrave të pasionit të tyre. Një i tillë është edhe tifozi i Totenhemit, Xhon Bart nga zona Bagshot e Sërrejt (Surrey) të Londrës, që ka fluturuar ndër të parët në Madrid për finalen e Championsit.

Njeriu që e ndjek Totenhemin prej dekadash ka rënë në fatkeqësi të madhe, sepse nuk ka mundur të sigurojë dot biletë, dhe është gati të bëjë çmenduri për ta pasur një të tillë. “Kam 40 vjet që i shkoj prapa ekipit të zemrës, – tha ai, – dhe as në ëndërr nuk e kisha parë se do të arrinim në finalen e Championsit. Kjo është një mundësi që të jepet vetëm një herë në jetë, ndaj jam gati të shpenzoj shumë për një biletë. Unë kisha parashikuar një buxhet prej 7 000 paundë stërlinash (rreth 8 000 euro), por edhe nëse do të më duhet të jap 10 000 paundë (11 300 euro), jam gati t’i paguaj”.

Gjithsesi, problemi më i madh për të tillë si Xhon Barti, apo si tifozi i Liverpulit, Semi Daruish, është që të hasin në personat e gabuar për t’i blerë biletat. Policia spanjolle ka arrestuar deri tani 3 persona për shitje biletash false, dhe atyre u janë gjetur disa mijëra euro, si dhe mjaft bileta të falsifikuara.

Sfidanti.al