Mjafton një “dru i shtrembër” për të prishur gjithë “vandakun”, thotë populli, dhe mjaftoi një gabim i rëndë i një pjesëtari të stafit të Gjermanisë për të shpërthyer sherri në përfundim të ndeshjes ndaj Suedisë në Soçi. Pamjet filmike dhe ato fotografike tregojnë qartë njërin nga njerëzit e stolit të Gjermanisë që shkoi drejt stolit suedez, pas shënimit të golit nga Kros, duke u tallur me ta.
Nuk vonoi reagimi i suedezëve, me trajnerin Anderson në krye, dhe njëri prej tyre e shtyu gjermanin me zemërim, përpara sesa të ndërhynin zyrtarë të FIFA-s për t’i ndarë, ndërsa edhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit të Gjermanisë iu bashkuan sherrit. Habi e madhe që dy prej kombeve më të qeta dhe më të kulturuara të botës arritën deri këtu.
“Nuk ishte vetëm njëri, – u shpreh Anderson më pas, – ai provokoi më keq, sepse erdhi tek ne, ndërsa disa të tjerë bënin gjeste drejt nesh pas golit. Ishte një sjellje e keqe. Luftuam për 90 minuta dhe në fund duhej të kishim shtrënguar duart, por ata u sollën aq keq”.
Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, u përpoq të mbronte njerëzit e tij. “Unë nuk pashë gjeste të tilla, – tha ai, – unë personalisht nuk bëra asnjë gjest, sepse e kishim mendjen tek festimi, tek përqafimet me njëri-tjetrin”. Duke komentuar ndeshjen, Lëvi theksoi se “është fat që futbolli ka ndeshje të tilla, edhe pse ne u rrezikuam aq shumë deri në fund, na u desh të mobilizonim rezervat e fundit, patëm shumë raste, ishte një dramë e vërtetë”.
Sfidanti.al