Barça, një fitore në “Bernabeu” për rekordin dhe titullin

“El Klasiko” është një histori e gjatë futbolli, të përzier me konflikte jashtë fushe, dhe që ndonjëherë është dukur si filma të verdhë policorë. Dueli më i madh i Spanjës dhe i Europës do të ketë sot një tjetër “seri” të rëndësishme, që mund të krijojë një precedent. Nëse Barcelona fiton përsëri, atëherë do të kalojë në epërsi në bilancin total të ndeshjeve zyrtare. Për momentin, dy ekipet kanë nga 95 fitore, si dhe 51 barazime. Katalanasit kryesojnë bilancin, përfshi edhe miqësoret (114 fitore ndaj 99), por më shumë rëndësi kanë duelet zyrtare.

Po ashtu, vitet e fundit, Barça e ka kthyer “Bernabeun” si stadiumin e vet, me 10 fitore në 17 ndeshje, ndërsa deri në 2003, nga 74 ndeshje kishte fituar vetëm 13. Dy herë ka shënuar 4 gola dhe një herë gjashtë, në dekadën e fundit, madje ka fituar thellë edhe pa Lionel Mesin. Një fitore sot, në sfidën e orës 20:45, do të bënte edhe që katalanasit të shkëputeshin 12 pikë nga Reali, duke hedhur një hap të madh drejt mbrojtjes së titullit kampion. Përsa i përket trofeve, Barça ka 95 në Spanjë dhe në Europë, ndaj 92 të Realit.

Sfidanti.al