Ishin dy ndeshje derbi që ranë në sy në këtë javë të Euroligës, por edhe ajo e superfuqisë ruse në Athinë. Së pari, Barcelona fitoi “El Klasikon” e basketbollit ndaj Realit të Madridit në “Palau Blaugrana”, 77-70. Së dyti, Fenerbahçe nuk e pati problem të fitonte derbin e Stambollit dhe të Turqisë ndaj Anadolu Efesit, 84-66 në fushën e saj, por rezultati që bëri më shumë përshtypje ishte ai i CSKA-së në Arenën e Olimpiakosit në Pire.
Rusët e trajnerit Itudis fituan madje thellë, 97-81, duke treguar “kredencialet” e tyre të mëdha për të synuar sërish titullin e humbur dy vitet e kaluara. Gjashtë lojtarë të CSKA-së shënuan 10 pikë e lart, Kori Higins 18 pikë, Nando De Kolo 16, Sergio Rodrigez e Kajl Hajns nga 15, Uill Klajbërn 14 dhe Otello Hanter 10.
Fenerbahçe kryeson renditjen me 21 fitore e 3 humbje, ndërsa duhen edhe 6 javë deri në përfundim të sezonit të rregullt. CSKA-ja ka 19 fitore e 5 humbje, dhe Reali është i treti me 18 fitore e 6 humbje, me të tria skuadrat e para të kualifikuara për në plej of.
Sfidanti.al