Interi mund të ishte zot shtëpie, dhe mund të lavdërohet që reagoi shpejt pas goditjes së rëndë që mori, por fitoren në “San Siro” e meritonte Barcelona. Edhe pse pa Lionel Mesin, sërish katalanasit ishin superiorë, madje dukshëm, duke krijuar raste të shumë, duke mbajtur topin mbi 60 për qind, duke gjuajtur pa fund drejt portës, dhe përfundimisht duke u bërë skuadra e parë e kualifikuar për në raundin tjetër të Championsit.
Gjithsesi, vetëm zëvendësuesi Malkom ia doli të thyente Samir Handanoviçin, që ndaloi gjithçka tjetër që u gjuajt drejt tij. Suarez humbi tre raste në pjesën e parë, dhe nuk shënon në Champions që nga shtatori 2015. Rakitiç, Dembele apo Kutinjo patën gjithashtu raste, por nuk shënuan.
Në grupin B, Totenhemi mbeti me shpresë pas dy golave të kapitenit Harri Kejn ndaj PSV Ajndhovenit, duke siguruar fitoren 2-1 në “Uembli”.
Në grupet e tjera, Atletiko la pas katastrofën në Gjermani ndaj Dortmundit (0-4) duke fituar 2-0 me gola të Saulit dhe Grizmanit, ndërsa Bryzhi mposhti Monakon brenda në Principatë, 4-0.
Porto mundi 4-1 Lokomotivën e Moskës në grupin D, duke mbetur në krye me 10 pikë, por llogaritë janë të hapura pasi Shalke fitoi 2-0 ndaj Gallatasarajit.
Grupi A: Atletiko-Dortmund 2-0, Monako-Bryzh 0-4. Dortmundi e Atletiko nga 9 pikë, Bryzhi 4, Monako 1.
Grupi B: Inter-Barcelona 1-1, Totenhem-PSV 2-1. Barcelona 10, Interi 7, Totenhemi 4, PSV 1.
Grupi C: Napoli-Paris SG 1-1, Crvena Zvezda-Liverpul 2-0. Napoli e Liverpul nga 6 pikë, PSG 5, Crvena Zvezda 4.
Grupi D: Porto-Lokomotiv Moskë 4-1, Shalke-Gallatasaraj 2-0. Porto 10 pikë, Shalke 8, Gallatasaraj 4, Lokomotiv Moskë 0.
Sfidanti.al