U peshuan dhe u panë sy më sy. Entoni Xhoshua dhe Vladimir Kliçko tani kanë vetëm për t’u ndeshur në “Uembli” mbrëmjen e sotme. Anglezi peshoi 125 kg, ndërsa Kliçko 120, diçka më pak se pasha e tij e zakonshme. Ukrainasi e ngacmoi boksierin vendas duke thënë se “kur e pashë Entonin me gjithë ata muskuj, më kujtoi Arnold Shvarcenegerin në kulmin e formës së tij si badibillder”.
Kliçko tregoi se përse vendosi të peshtonte diçka më pak në këtë ndeshje. “Unë do ta mund shpejtësinë e tij, pasi do ta lëshoj grushtin pak më përpara”, – tha kampioni 41-vjeçar. Gjithsesi, mediat britanike shkruajtën se duke qenë më i lehtë Kliçko mund të lëvizë më shpejt në ring.
Parashikimet i japin më shumë avantazh anglezit që është më i ri në moshë, vetëm 27 vjeç, dhe që besohet se ka aftësi më të madhe për ta mbyllur ndeshjen me një grusht të vetëm. Gjithsesi, kampionë të mëdhenj si Lenoks Ljuis apo Xhorxh Foreman besojnë se Xhoshua nuk do ta ketë të lehtë, edhe pse mund të fitojë.
Ndeshja pritet të fillojë rreth orës 23:00 (në varësi të dueleve të tjerë), dhe do të ndiqet nga rreth 90 000 spektatorë.
Sfidanti.al