Arsen Venger kujton sërish “thikën pas shpine” të Bajernit për Gnabrinë!

Ai e dinte se po merrte një lojtar me të ardhme të madhe, dhe këtë e tregon qartë fakti se e solli në “Emirejts” në moshën 15-vjeçare. Arsen Venger pyetet sot për Serg Gnabrinë, një nga yjet më të shkëlqyer të Bajernit në këtë edicion të Championsit, dhe kujton kohët kur e pati gjermanin tek Arsenali. “E mora nga Shtutgarti kur ishte 15 vjeç, – tha Vengeri, – por, ai u dëmtua shpesh. Ne e kishim një marrëveshje me të, ju e dini, e dërgova huazim tek Uest Bromi, por ai nuk luajti asnjë ndeshje. U kthye tek ne dhe u dëmtua përsëri. Ne punuam fort me të për 6 muaj, Sergi u bë gati, u bë pjesë e kombëtares së Gjermanisë, ndërsa Bajerni bëri një marrëveshje me Verderin”.

Vengeri theksoi edhe një herë akuzat që bëri në atë kohë për Bajernin, sepse ai është i bindur që Verderi e mori pasi u këshillua nga bavarezët. Marrëveshja duhet të ketë qenë që Verderi t’i paguante 5 milionë euro Arsenalit për kartonin e Gnabrisë, dhe pastaj mori 8 milionë euro nga Bajerni për ta lëshuar. Në dy sezone në Mynih, lojtari i krahut u rrit vazhdimisht, dhe këtë vit sportiv ka shënuar 23 gola e ka shërbyer 14 asiste në 45 ndeshje. Nëntë gola i ka në 9 ndeshje në Champions. “E dija se do të kishte të ardhme të madhe, – thotë Vengeri, – por, nuk e mbaja dot kundër vullnetit të tij”.

Sfidanti.al