Argjentinë europiane dhe e së ardhmes, Mesi mund të gëzohet!

Argjentina që mundi 2-0 Katarin dhe u kualifikua për në çerekfinalet e Kupës së Amerikës, kishte diçka që duhet theksuar dhe që jepte shpresë. Formacioni i zgjedhur nga trajneri Skaloni, bashkë me zëvendësuesit, përbëhej nga lojtarë që luajnë në Europë, me përjashtim të portierit Franko Armani që luan për River Plejtin. Kjo ka shumë rëndësi për vetë diferencën që kanë sot ligat e mëdha europiane me atë të Argjentinës, ndërsa lojtarët luajnë në përgjithësi për skuadra të rëndësishme.

Mbrojtësi Huan Markos Fojth (21 vjeç) është pjesë e Totenhemit dhe pritet të ketë të ardhme shumë të mirë. Renso Saravia, 26 vjeç, kaloi nga Belgrano tek Porto këtë verë. Nikolas Otamendi, 31 vjeç, është lojtar me tepër përvojë tek Mançester Siti, ndonëse këtë vit luajti vetëm 15 ndeshje në Premier Ligë.

Mbrojtësi tjetër, Nikolas Taliafiko, i mbiquajtur “Zaneti i ri”, është 26 vjeç, pjesë e Ajaksit të shkëlqyer, por kërkohet nga shumë klube të mëdhenj. Mesfushori Rodrigo De Paul, 25 vjeç, lojtar i rëndësishëm i Udinezes në Serinë A. Edhe mesfushori Leandro Paredes (24 vjeç) është me rëndësi. Ai është pjesë e Paris SG, që nga janari 2019, ndërsa provoi Bokën, Kievon, Romën, Empolin dhe Zenitin e Shën Peterburgut. Zhovani Lo Selso, 23-vjeçar, luan për Betisin në La Liga, ndërsa provoi fatin edhe tek Paris SG.

Nuk ka nevojë të flitet shumë për treshen e sulmit, Lionel Mesi-Sergio Aguero-Lautaro Martinez, ku edhe ky i fundit po bëhet i njohur tek Interi. Edhe zëvendësimet ishin të rëndësishme, me Paulo Dibalën e Juventusit, Herman Pezelën (kapiten i Fiorentinës) dhe Markos Akunjën, lojtar të Sportingut të Lisbonës.

Sfidanti.al