Antipatik sa të duash, por edhe rekordmen, ja Kristiano Ronaldo

Me talentin që nuk i mungon aspak, me fizikun e jashtëzakonshëm dhe me egon e llahtarshme, të cilët me siguri e ka edhe të trashëguar, por edhe “të mëkuar”, Kristiano Ronaldo vazhdon të sfidojë veten, historinë dhe kritikët. Dakord, ylli i Realit është tepër antipatik, aq sa vetë tifozët e tij nuk është se duan shumë, veçse ai është i pazëvendësueshëm edhe tani që është 33 vjeç.

Dy golat ndaj Paris SG bënë që të mbahej sërish në krye të renditjes së shënuesve për këtë sezon, me 11 të tillë. Po ashtu, bënë që ai të ketë tani 116 gola në Champions, nga të cilët 101 me Realin. Rekord për numrin total të golave, rekord edhe për numrin e golave në Champions me një ekip të vetëm (Realin), por rekord edhe sepse ka shënuar në 7 ndeshje radhazi në Champions. Rekordi i mëparshëm mbahej nga Burak Jilmaz i Gallatasarajit, dhe ishte barazuar nga CR7-ta.

Nga 34 rrjetat e fundit të Madridit, 21 mbajnë autorësinë e Kristianos. Numri 7 po bën çmos që të jetë në mes të yjeve të Kupës së Kampionëve dhe Championsit, si Pushkash, Di Stefano, Gento apo Maldini, dhe të paktën përsa i përket golave, por edhe trofeve mund t’ia dalë.

Sfidanti.al