Zidan, lëvizja që bëri për vete “Bernabeun” dhe fitoi ndeshjen

Zinedin Zidan është dyshuar gjithnjë nëse është një trajner i madh apo jo. Pavarësisht se fitoi trofe të shumtë dhe të shkëlqyer me Realin, sërish ekzistonte një mendim se sukseset ishin më shumë të lojtarëve, ndërsa ai kishte meritën vetëm që ruante ekuilibrat në dhomën e zhveshjes.

Ndaj Paris SG, trajneri francez mbrojti “doktoraturën” e tij duke bërë dy lëvizje, ndër të cilat e dyta rezultoi fituese. Pasi hodhi në fushë Garet Bejlin për Karim Benzemanë, Zizuja rrezikoi shumë duke aktivizuar Lukas Vaskezin djathtas dhe Marko Asension majtas, si dhe duke hequr Iskon e Kasemiron.

Lëvizja rezultoi fituese, pasi ndryshoi pamjen dhe fatin e ndeshjes. Deri në atë moment, PSG po luante më mirë dhe Reali thjesht po mbahej me shpirt në dhëmbë duke provuar kundërsulmet. Lukas Vaskez solli rrezikun e parë për portën mike, ndërsa Asensio dha dy asistet për dy golat që ndryshuan shanset për kualifikim. Fillimisht dërgoi në gol Ronaldon dhe pastaj Marselon.

Veprimi i Zidanit bëri për vete edhe “Bernabeun”, pasi publiku madrilen është mësuar me një ekip që rrezikon dhe luan në sulm. Besohet, ju kujtohet kur Fabio Kapelo nuk u mbajt dy herë radhazi, edhe pse fitoi titullin po dy herë . Tifozët në Madrid nuk duan vetëm kupa, por edhe futboll.

Sfidanti.al