E kush mund të besojë se mund të përsëriten kohët e Fabio Kapelos, kur Anglia e tij fitonte 4-1 në një stadium të mbushur plot e përplot, “Maksimir” të Zagrebit, ndaj Kroacisë. Ishte eleminatore e një Botërori, ndërsa këtë herë ishte Liga e Kombeve, dhe “luanët” e Sauthgejtit nuk qenë në gjendje të fitonin në një stadium bosh në Rijekë.
Gjithsesi, mediat britanike me të drejtë do të thoshin se fitorja me 4 gola ishte shumë afër për t’u realizuar. Markush Rashford humbi dy raste vetëm për vetëm me portierin Livakoviç, ndërsa Erik Dajer e Harri Kejn goditën shtyllat e portës vendase. Jo keq, për një Angli që u mund nga Kroacia në gjysmëfinalet e Botërorit vetëm pak javë më parë.
Gjithsesi, ishte një bukuri e hidhur, e pavlefshme, pasi anglezët janë thuajse të eleminuar. Pas dy ndeshjeve në grup, ata kanë vetëm 1 pikë, humbje në “Uembli” me Spanjën dhe barazim në Kroaci. Golat 1-2. Spanja, ndërkaq ka 6 pikë të plota, ka golat 8-1 dhe ndeshjen me Anglinë e ka në fushën e saj.
Sfidanti.al