Anglia kampione e Europës për femra, “luaneshat” u treguan djemve sesi fitohet!

Ekipi i meshkujve arriti gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2018 në Rusi dhe finalen e Europianit vitin e kaluar në “Uembli”. Këtë herë, në të njëjtin stadium, ishte një tjetër Angli që luftoi për titullin europian, veçse me sukses. Nëse burrat anglezë të trajnerit Garet Sauthgejt u mundën pas penalltive nga Italia, “luaneshat” e trajneres holandeze Sarina Vigman arritën të mundnin rivalin e tyre më të frikshëm, Gjermaninë. Në “Uembli” ishin 87 192 spektatorë, një rekord i kampionateve europiane për femra, dhe finalja ishte pak a shumë e ekuilibruar. Dy skuadrat ishin thuajse të barabarta, me pak më shumë gjuajtje dhe mbajtje topi nga Gjermania, dhe pak më shumë saktësi në kuadrat e në korne nga Anglia. Ishin lojtaret zëvendësuese që shënuan për anglezet, Ela Tuni (Toone) në 62’ dhe Klo Kelli në 110’ pasi ndeshja shkoi në kohë shtesë. Gjermanet barazuan përkohësisht me anë të Lina Magulit në 79’.

Angli-Gjermani 2-1 (1-0 Tuni 62’, 1-1 Magul 79’, 2-1 Kelli 110’)

Anglia (4-2-3-1): Ërps, Bronz, Brajt, Uilliamson, Dejli (Grinvud 88’), Stenuej (Skot 88’), Uolsh, Mid (Kelli 64’), Kërbi (Tuni 56’), Hemp (Parris 120’), Uajt (Ruso 56’).

Gjermania (4-3-3): Froms, Gvin, Hendrih (Dorsun-Hajeh 103’), Hegering, Rauh (Latvajn 113’), Magul (Dalman 90’), Oberdorf, Debric (Lohman 73’), Hut, Shyler (Aniomi 67’), Brand (Vasmut 46’).

Sfidanti.al