Anglezët u bënë burra, mundën Kroacinë, eleminuan Spanjën!

Kur përmendej Anglia e trajnerit Garet Sauthgejt, shumëkush thoshte: “Të mirë janë të shkretët, por nuk kanë përvojë fare”. Ashtu u paraqitën anglezët në Botëror ku Kroacia i eleminoi me përmbysje në gjysmëfinale, dhe Belgjika i mundi lehtë për vendin e tretë.

Tani gjërat paskan ndryshuar. Ishte Anglia e Sauthgejtit që mundi Kroacinë eksperte me përmbysje, duke siguruar kualifikimin për në katërshen finale të Ligës së Kombeve, atë të nivelit më të lartë.

Djemtë e rinj, që nga portieri Pikford, mbrojtësit Gomez, Çiluell, apo lojtarët e tjerë si Ali, Delf, Lingard, Rashford apo Sanço treguan se më në fund e kanë marrë “dëftesën e pjekurisë”. Nuk ishte aspak gjë e vogël të mundje nënkampionen e Botës, Kroacinë, dhe të lije pas Spanjën e fuqishme që e mundi 6-0 këtë Kroaci pak javë më parë.

Miqtë shënuan të parët në “Uembli”, me gjuajtjen e parë në portë, në pjesën e dytë (57’), por goli i Andrej Kramariçit nuk pati efekt nokauti. Sauthgejt bëri lëvizjet “magjike” duke hedhur në fushë Lingardin që barazoi rezultatin, dhe Sançon që i dha vrull lojës së vendasve.

Golin e kualifikimit e shënoi kapiteni Harri Kejn në minutën e 85-të, duke bërë që Anglia të përfundonte në vend të parë me 7 pikë, ndaj 6 të Spanjës dhe 4 të Kroacisë. Kualifikim i merituar në grupin më të fortë të mundshëm (ndoshta, po aq të fortë sa ai i Francës, Holandës dhe Gjermanisë).

Anglia pati 62 për qind të zotërimit të topit, dhe dominoi në gjuajtjet drejt portës e goditjet nga këndi.

Sfidanti.al