Analiza në Spanjë: Luis Enrike merr vesh nga futbolli, madje shumë!

Një ditë para ndeshjes në “San Siro”, tekniku asturian nuk e pati problem t’u përvishej gazetarëve dhe t’u mësonte disa leksione. “Unë nuk ju lexoj për ato që shkruani sepse di për futbollin më shumë se ju, dhe nuk i lexoj kritikat tuaja sepse nuk do të mësoj ndonjë gjë me vlerë”, ishin fjalët e Luis Enrikes. Një ditë më pas, pikërisht mbrëmjen e djeshme, ai tregoi se përse një trajner normalisht di më shumë nga futbolli sesa një gazetar (roli i të cilit është tjetër, por shpesh ngatërrohet), dhe po ashtu edhe se ndonjë ish-lojtar apo ish-trajner që kthehet në opinionist. Këtë e pohuan edhe mediat spanjolle, pasi Spanja triumfoi në Itali në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve.

“Po, Luis Enrike merr vesh nga futbolli, madje shumë”, ishte titulli i një analize në të përditshmen “Marka” shkruar nga Hoze Feliks Dias. “Futbolli jep leksione në çdo ndeshje, – shkruajti ai, – por që ne kurrë nuk i mësojmë, gjithnjë japim gjykime “a priori” dhe pastaj përfundojmë që tërhiqemi. Tifozë e gazetarë janë e njëjta gjë, sepse nuk e kuptojnë që ditura e futbollit është privilegj i vetëm pak vetëve”. E thënë ndryshe, futbollin e njohin në thellësi vetëm ata që ushqehen me të, sidomos trajnerët. “Një ndeshje shumë e mirë për ne, – tha më pas Luis Enrike, – krijuam rreziqe, luajtëm shumë mirë. Jam i kënaqur. Me një stërvitje e gjysmë është e vështirë, por lojtarët u treguan gjenialë. Gavi luan futboll sikur po luan në oborrin e shtëpisë së tij. Franca dhe Belgjika janë të dyja shumë të mira, shpresojmë të fitojmë titullin”.

Sfidanti.al