Amerika zgjedh Xhordanin para Lebronit, vlerësohet si kapiten më i madh!

Votimi në SHBA, dihet, bëhet sipas shteteve, ndonëse në fund numërohen edhe votat. Gjithsesi, dueli mes Majkëll Xhordanit e Lebron Xhejmsit ishte si një garë presidenciale, me ish-yllin e Çikago Bullsave që fitoi në 26 shtete, dhe yllin e sotëm të Lejkërsave që ia doli në 24. Sukses më të ngushtë se kaq nuk mund të ketë, sepse ndryshe do të ishte barazi.

Dy basketbollistët janë kthyer në legjenda duke luajtur në epoka të ndryshme, me Xhordanin që e la karrierën paksa përpara sesa Lebroni ta fillonte. Të dy kanë rekorde të shumtë, dhe Xhejmsi në kompleks duket më i plotë, me më shumë pikë të shënuara, më shumë asiste të dhënë, më shumë topa të kapur në tabelë. Një basketbollist prej “tripëll dabëlli”.

Gjithsesi, vlerësimi i plotë jepet duke para ndikimin tek skuadra, dhe Xhordani nuk u largua kurrë nga Çikago Bullsat, derisa arriti të fitonte 6 tituj kampion në NBA, që mund të kishin qenë 8, nëse nuk do të kishte shkuar dy vjet në Ligën Kombëtare të Bejsbollit. Ish-trajneri i tij, Fil Xhekson, i tha që në fillim fjalët e legjendës së Bostonit, Red Auerbahut, se “kapiten i madh është ai që bën të mëdhenj shokët”. “Mos ki dyshim”, ishte përgjigja e MXH-së.

Trajneri Dejvid Blat, që shkëlqeu në Europë dhe drejtoi për dy vjet Lebron Xhejmsin tek Klivlendi, thekson pikërisht këtë. “Xhordani është më i madh, sepse i udhëhoqi më mirë shokët, – theksoi ish-trajneri i Makabit, – fitoi titujt me një ekip të vetëm, dhe nuk fliste me “unë”, por me “ne”. Që të dy janë mes 5 më të mirëve të të gjitha kohëve”.

Sfidanti.al