Ai tashmë e ka shpenzuar “vajin e kandilit”, dhe po i afrohet dalë nga dalë një moshe të shtyrë. Veçse, jo më kot Sharon Stoun u shpreh se “sa më shumë më shtohen rrudhat në prapanicë, aq më shumë më shtohet dituria”, e kjo vlen edhe për Majk Tajsonin. i mbiquajturi “djali i keq” dhe “i hekurti”, njeriu që nuk provoi dashuri dhe respekt në fëmijëri, ndaj edhe nuk ua dha të tjerëvë në moshë madhore, ka realizuar një transformim të mahnitshëm, të paktën nga ajo që kuptohet në intervistat e kohëve të fundit.
Tepër i sinqertë, tepër i saktë në vlerësimet e tij, tepër dashamirës, në një ndryshim të madh nga vitet e mëparshme kur ishte vërtet i tmerrshëm, dhe këtë ndryshim ta japin leksionet e jetës. Majk Tajsoni u pyet për boksierët më të mëdhenj të epokës sonë. Tabloidi britanik, “Deili Meil” sigurisht që në “krye të herës” vendosi anglezët Tajson Fjuri dhe Entoni Xhoshua, si dhe amerikanin Diontej Uajlder, dhe Tajsoni shprehu vlerësim të madh për Xhoshuan, duke thënë se “ai është gjigand, por vallëzon në ring, është shumë i talentuar dhe nuk është e lehtë ta godasësh, pastaj ai ka emrin tim, si mund të mos jem me të?”
Gjithsesi, “Majku i Hekurt” vlerësimin më të madh e dha për ukrainasin Vasili Lomaçenko, kampionin e botës të peshave të lehta. “Lomaçenko është më i miri nga të gjithë sot për sot, – tha Majku, – ai gjithnjë bokson mirë. Ai është si një balerin, është i imtë, por një mjeshtër, dhe është kaq natyral”.
Tajsoni e përbuzi Flojd Mejuedhër Xhuniorin, të cilin ai nuk e ka aspak qejf, sidomos kur mori vesh se boksieri amerikan e kishte quajtur vetveten më të madh se Muhamed Aliun. “Si mund të jetë ai më i madh se Aliu, – u tall Tajsoni, – a mundet ai që t’i çojë vetë fëmijët në shkollë, siç bënte Aliu? Jo, ai nuk mundet. i madh nuk është ai që e veçon veten nga të tjerët, por ai që shkrihet me të tjerët, ai që pranohet nga të tjerët”.
Sfidanti.al