Lajmet e këqija po vijnë nga të gjitha anët, dhe e kanë rënduar situatën edhe pse zikaltërit kanë mjaft rezerva. Dëmtimet dhe koronavirusi e kanë kthyer këtë periudhë të vitit në një tmerr të vërtetë dhe kështu po përjetohet edhe nga Interi, në prag të derbit. Sipas mediave sportive italiane, trajneri Antonio Konte duhet të ketë vetëm 14 lojtarë të gatshëm, pa llogaritur ata të Shpresave. Dyshimi i fundit është ai për Aleksis Sançezin, i kthyer i dëmtuar nga kombëtarja e Kilit, ndonëse vizitat mjekësore nuk kanë përfunduar të gjitha.
Bastoni ka bërë sërish tampon për Kovidin, dhe edhe nëse del negativ do të ketë kontrolle të tjera, ndaj gazetat shkruajnë se maksimumi do të jetë në stol. Me koronavirus janë Naingolan, Shkriniar, Galiardini, Radu e Jang. Sensi është i pezulluar, Vesino i dëmtuar. Kristian Erikseni ndërkaq bën presion për të luajtur, ndërsa është në balotazh me Brozoviçin.
Formacioni i mundshëm (3-4-1-2): Handanoviç, D’Ambrozio, De Vraj, Kolarov, Hakimi, Vidal, Brozoviç (Eriksen), Perishiç, Barela, Lukaku, Lautaro Martinez.
Sfidanti.al