Duel skuadrash, por edhe i dy personazheve tashmë të shquar. Rusi-Kroaci do të jetë edhe sfidë mes portierëve që janë dalluar më shumë se të tjerët pikërisht në pozicionin më të vështirë, tek penalltitë. Rusi Igor Akinfejev dhe kroati Danijel Subashiç ishin të fortë gjatë 90 minutave, po ashtu gjatë shtesave, si dhe tek 11-metërshat, ndërsa Rusia eleminoi Spanjën dhe Kroacia kaloi Danimarkën.
Akinfejev është 32 vjeç, me 110 ndeshje për kombëtaren dhe mbi 500 për CSKA-në e Moskës. Kundër spanjollëve, në të tetat e finaleve, ai hipnotizoi fillimisht Koken që goditi traun, dhe pastaj reagoi shkëlqyeshëm në pritjen vendimtare, atë ndaj Iago Aspasit, që i dha kualifikimin për në çerekfinale skuadrës vendase.
Subashiç bëri edhe më shumë. Gardiani 33-vjeçar, që luan për Monakon në Francë, priti plot 3 penallti kundër Danimarkës. Diçka e jashtëzakonshme, që barazoi rekordin e portugezit Rikardo, vendosur në çerekfinalen ndaj Anglisë në Botërorin 2006. Nuk dihet nëse sfida e sotme do të jetë me 11-metërsha apo jo, veçse Subashiç është paralajmëruar nga FIFA që të mos veshë fanelë me mesazhe jashtësportive. Ndaj Danimarkës, poshtë fanelës së portierit, kishte veshur bluzë me fytyrën e ish-lojtarit Hrvoje Kustiç, ish-shok i tij, që humbi jetën 10 vjet më parë.
Sfidanti.al