Futbolli po kthehet në shtëpi, Anglia në gjysmëfinale të Botërorit

Futbolli sërish mund të kthehet në shtëpi. Ky ishte titulli i një gazete angleze, pasi shpikësit e lojës më të bukur në rruzull, u kualifikuan për në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Ia dolën me fitoren e merituar, edhe pse jo të shkëlqyer, 2-0 ndaj Suedisë, ku Harri Kejn nuk e gjeti rrugën e rrjetës, por ku këtë e bënë dy shokë të tij të skuadrës, mbrojtësi Megajër, dhe sulmuesi Dele Ali.

U desh të shkohej në Samarë, në një cep të largët të Mëmëdheut të pafund rus, që Anglia të arrinte mes katër më të mirave në botë për herë të tretë në historinë e saj. Shumë pak për atdheun e futbollit, dhe për atë që përfaqëson Anglia. Më parë, ia kishte dalë në 1966, kur u shpall kampione, dhe në 1990 në Itali, kur u mund nga Gjermania.

Dueli europian në stadiumin e Samarës u dominua nga ishullorët, që u treguan po aq të aftë taktikisht sa suedezët, por duke pasur më shumë talent dhe shpejtësi. Kjo solli edhe golat, nga një në çdo pjesë loje. Gjithsesi, fitorja do të kishte qenë shumë më e vështirë nëse në portë nuk do të kishte qenë i riu Pikford, që u tregua pasardhës i denjë si Gordon Benksit apo Piter Shiltonit.

Gardiani i Evertonit bëri tri pritje vendimtare duke mos lejuar që festa të ndalonte para kohe. Suksesi i ardhshëm do të jetë tepër i vështirë, por anglezët shpresojnë që ta kthejnë futbollin në shtëpi.

Sfidanti.al