Ka dalë tri herë kampion i Anglisë, një herë Këpucë e Artë, dhe pesë herë lojtari më i mirë i muajit. Është shënuesi më i mirë i Mançester Sitit për të gjitha kohët, edhe në Premier Ligë, edhe në garat e tjera, dhe është arsyeja kryesore se përse tifozët ende mendojnë se titulli mund të fitohet.
Sergio “Kun” Aguero ishte i magjishëm në fitoren më të fundit të Sitit, 3-1 ndaj Arsenalit në “Etihad”, duke shënuar që të tre golat, e duke vazhduar të ndjekë rekordet. Një sulmues race, i pajisur me një instinkt goli prej shënuesve më të mëdhenj të historisë, ai mposhti mosbesimin e dikurshëm të Pep Guardiolës, duke iu imponuar trajnerit si njeri i pazëvendësueshëm.
Mançester Siti ka tani 59 pikë, vetëm 2 më pak sesa Liverpuli, por që do ta luajë këtë të hënë, në orën 21:00, ndeshjen e kampionatit në fushën e Uest Hemit.
Aguero arriti në 14 gola këtë sezon në Premier, dhe në 18 gola gjithsej këtë edicion, shumë pranë Kristiano Ronaldos që ka 19. Ai realizoi tregolëshin e 10-të në Premier Ligë, vetëm 1 më pak sesa rekordi i epokës moderne të mbajtur nga Alan Shireri. Po ashtu, ai ka 157 gola në karrierë në kampionat, si dhe 41 asiste, të gjitha këto në 227 ndeshje.
Argjentinasi është ende larg rekordit të Premier Ligës, mbajtur nga Shirer me 260 gola, por ish-sulmuesi i Blekbërnit dhe Njukasëllit, ia doli në plot 441 ndeshje, po ashtu do t’i duhet kohë që të mbërrijë 208 rrjetat e Uejn Runit, por pritet t’i afrohet shpejt Xhermen Defosë, Robi Faulërit, Tieri Henrisë, Frenk Lampardit apo Endi Koulit.
Më shumë rëndësi se gjithçka për të, sidoqoftë, ka titulli kampion. Sfida me Liverpulin është shumë e vështirë, por Aguero është nga ata që nuk dorëzohet deri në fund.
Sfidanti.al